17/03/2023
Shkodër, 17 Mars 2023
KOMUNIKATË PËR SHTYP
Përmbledhje e takimit që Komisioni i Dukagjinit ka bërë në Prefekturën e Shkodres
Premisë!
Për transparencë ndaj opinionit të gjerë publik!
Në dt. 13 mars, ora 16:00 me kërkesën e Prefektes së Qarkut Shkodër, znj. Angoni, patëm një takim -të cilin nuk dimë sesi ta përkufizojmë: formal apo informal-, relativ me kërkesën tonë për ndërtimin e Rrugës së Dukagjinit, me Ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin znj. Spiropali, deputetin e Qarkut Shkodër, z. Benet Beci dhe me Drejtorin e Përgjithshëm të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, z. Dritan Agolli, prania e këtij të fundit ishte një surprizë për të gjithë ne, e si të gjitha gjërat e papritura i dha takimit tonë nji tonalitet më dinamik.
I falenderojmë të gjithë përfaqësuesit e qeverisë për ftesën dhe për mikpritjen e tyre.
Për të qenë të qartë me të gjithë qytetarët që dëshirojnë të njohin të vërtetën dhe për të evituar gjykimet që mund të krijohen apriori, dëshirojmë t’i informojmë, se edhe pse komisioni shprehu dëshirën që të ishin të pranishme mediat lokale, thjesht për të lehtësuar ushtrimin e ‘sensit kritik’ të qytetarëve dhe për të çertifikuar vërtetësinë e bisedës, për arsye të ndryshme objektive apo subjektive nuk u bë e mundur të konkretizohet një kërkesë e tillë nga ana e Prefekturës.
Mungesa e mass media-s na krijon vështirësi metodologjike e ndoshta lë hapësirë edhe për ambiguitete të padëshiruara në hartimin e kësaj komunikate, sepse duke qenë se mungon verbali i takimit dhe dokumentimi nga ana e medias -që mund ta kishim transkriptuar për transparencë ndaj publikut-, atëherë për të shkruar këtë tekst me karakter divulgativ i referohemi aftësisë mnemonike të dëshmitarëve që kanë qenë të pranishëm.
***
Në takimin që u zhvillua me dyer të mbyllura, komisioni në kërkesat e tij iu referua dy deklaratave të z. Beci (dt. 20 shkurt dhe 13 mars), substraktet e të cilave po i sjellim edhe një herë. Citojmë z. Beci:
“Gjatë këtyre viteve është punuar për të përfunduar lidhjen rrugore Qafë Thore-Theth; po punohet për segmentin e rrugës Theth-Ndërlysaj dhe ka përfunduar plotësisht projekti i detajuar teknik nga Prekali në Ndërlysaj së bashku me një degëzim të rëndësishëm që lidh me Lekbibajn dhe zonën e Gjakovës në Kosovë (nga deklarata e dt. 20 shkurt)”.
“Angazhohem që projektin e hartuar të rrugës ta bëjmë publik në një takim të hapur me të gjithë të interesuarit në momentin më të parë së bashku me inxhinierët dhe agjensitë qeveritare që kanë përgatitur projektin. Hapi tjetër duhet të jetë akordimi i fondeve për fillimin e këtij investimi madhor (nga deklarata e dt. 13 mars)”.
Pas takimit me përfaqësuesit e komisionit: ‘Dukagjini kërkon rrugën’, z. Beci me anë të profilit të tij Facebook, bën një komunikim në lidhje me takimin në fjalë. Citojmë:
“Megjithëse rruga është në inventarin e bashkisë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit me financimin e qeverisë shqiptare ka bërë të mundur hartimin e projektit teknik. Prezantimi i projektit dhe diskutimi rreth alternativave të gjurmës së rrugës do të zhvillohet në një takim të zgjeruar në fillim të prillit. Kostoja e konsiderueshme e ndërtimit të kësaj rruge po negociohet si pjesë e paketave të financimit të donatorëve ndërkombëtarë, në kuadër të një programi të madh zhvillimi për rajonin e Shkodres.”
Cilat ishin kërkesat tona gjatë takimit:
• Kur do të bëhet akordimi i fondeve?
• Sa do të jetë fondi për rrugën e Dukagjinit?
• A do të bëhet financimi i kësaj rruge brenda vitit 2023?
Cilat janë kërkesat tona pas takimit në fjalë?
• Për aq sa legjislacioni e lejon, dëshirojmë që përgjigjet në lidhje me pyetjet e shtruara më sipër të bëhen publike dhe të jenë të çertifikuara nga ana ligjore.
• Duke qenë se z. Agolli gjatë takimit ka konfirmuar pohimin e z. Beci se projekti për rrugën e Dukagjinit dhe për degëzimin me Gjakovën është përfunduar, dhe në të njëjtën kohë i ka premtuar komisionit që së bashku me stafin teknik (këtë e konfirmon edhe z. Beci: “në fillim të prillit”, shih., komunikimin e fundit të dt. 13 mars; po ashtu kjo konfirmohet edhe nga znj. Spiropali në tekstin që ka publikuar në profilin e saj Facebook pas takimit: “Prezantimi i projektit do të zhvillohet në një takim të zgjeruar në fillim të muajit prill”) do të ua prezantojnë komisionit, atëherë kërkesa jonë është që pasi të konsultojmë projektin, një kopje e përfunduar e projektit teknik t’i dorëzohet komisionit për studim dhe arkivim.
• Të kemi qartësinë në qoftë se znj. Spiropali, z. Beci, z. Agolli dhe znj. Angoni janë përfaqësues të dërguar nga autoritetet e çertifikuara të qeverisë për t’u marrë me punën e Rrugës së Dukagjinit, apo iniciativa e tyre është thjesht diçka qe vjen nga dëshira e tyre krejt e personalizuar?
E shtrojmë këtë pyetje që të evitojmë skepticizmin e atyre që thonë: “duke qenë se jemi në prag të fushatës elektorale, protesta e Dukagjinit po përdoret nga politikanët e të dy krahëve për qëllime politike”, edhe pse realisht ‘njohja dhe pranimi i së vërtetës’ është një ndër kushtet e panegociueshme për t’u pranuar në Bashkimin Evropian.
George Orwell do të thoshte: “ Në kohët e gënjeshtrës universale, të themi të vërtetën është një akt revolucionar”.
Çfarë do të bëjmë nëse kërkesat tona, sipas gjykimit tonë subjektiv, të drejta, dhe premtimet nuk do të merren në konsideratë?
• Duke u shprehur me teknikën gjuhësore të analogjisë për ‘via negationis’, nuk do të lejojmë që protesta dhe kërkesat tona të politizohen dhe të bëhen subjekt i diatribave politike që dalin qartë në deklaratat e përfaqësuesve të Qeverisë dhe Bashkisë.
• Nuk do të bojkotojmë zgjedhjet, sepse votën e konsiderojmë një të drejtë dhe njëkohësisht një detyrim qytetar ndaj vendit tonë.
• Do të ndjekim hap pas hapi të gjitha pikat që kemi prezantuar në dy komunikatat pararendëse dhe në rast se përsëri nuk do të plotësohen, do të përsiasim për dimensione të reja që mund të na ndihmojnë për të mishëruar në realitet kërkesën tonë -besojmë- të drejtë për Rrugën e Dukagjinit.
Me besimin e plotë që kërkesa jonë do të merret në konsideratë dhe që së shpejti do të kemi një rezultat konkret pozitiv, shprehim konsideratën tonë të thellë për të gjitha institucionet shtetërore, qendrore dhe lokale.
Me respekt, Komisioni Organizativ
Post Scriptum. I vetmi kanal zyrtar komunikimi me mediat dhe me qytetarët, i autorizuar nga komisioni i ngritur për Rrugën e Dukagjinit, është profili në Facebook:
“Dukagjini kërkon rrugën”.