29/10/2026
Ne si shoqëri
Ne si shoqëri,ngritëm mure dhe shtruam asfalte . Menduam se me këtë shpëtuam nga balta.
Rrugët e reja lidhën fshatra e qytete, urat shkurtuan distancat e largësisë gjeografike, dhe gëzimi i zhvillimit fizik dukej sikur do të fshinte çdo gjurmë të vjetër. Por, ndërsa krahët tanë u lodhën duke ngritur metropolitë e betonit, harruam diçka thelbësore: balta lahet me ujë, por llumi i shpirtit mbetet.
Jeta nuk matet kurrë me tonët e çimentos, me kilometrat e autostradave apo me lartësinë e pallateve që prekin qiellin. Ajo është thirrja e heshtur e kulturës, drita e dijes, brishtësia e arsimit dhe pastërtia e fjalës së dhënë. Aty ku shkolla humbet peshën e saj dhe kultura kthehet në relike, qytetet bëhen thjesht fjetina të mëdha, ku njerëzit jetojnë pranë e pranë, por të huaj për njëri-tjetrin.
Atje ku mungon vlera, lulëzojnë baltosjet dhe shpifjet. Janë pikërisht ato që përbëjnë llumin e vërtetë shoqëror – një llum i padukshëm, ngjitës, që futet nëpër koridoret e institucioneve, në familje, në bisedat e përditshme dhe në ndërgjegjen tonë. Është një baltë që nuk e pastron as shiu e as koha, sepse ajo ngrihet nga njerëzit dhe ushqehet prej ligësisë e smirës.
E megjithatë... le të jemi optimistë. Njerëzimi ka kaluar furtuna më të errëta, ka parë perandori të bien e ka duruar plagë që dukej se nuk mbylleshin kurrë. Shpresa nuk vdes te themelet e reja të rrugëve, por te shpirti i atyre që nuk dorëzohen.
U bëftë më e mira për ata që e duan këtë vend me gjithë zemër, duke e larë jo vetëm tokën, por sidomos ndërgjegjen prej çdo llumi.
M.Xhindi
29 / 10 / 2026