30/07/2026
Reciprociteti nuk mund të zëvendësojë realitetin
Nga Sami Spahiu
Deklarata e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjurić, se është arritur një marrëveshje në parim për hapjen e një konsullate serbe në Shkodër dhe një konsullate shqiptare në Bujanoc, hap një debat të rëndësishëm mbi mënyrën se si duhet të kuptohet dhe zbatohet parimi i reciprocitetit në marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë.
Në diplomacinë bashkëkohore, reciprociteti nuk përkufizohet si një shkëmbim mekanik koncesionesh. Ai mbështetet në proporcionalitet, në interesin shtetëror dhe në nevojat reale që justifikojnë praninë diplomatike ose konsullore. Pikërisht këtu lind dilema kryesore: a ekziston një bazë objektive që vendos në të njëjtin plan një konsullatë shqiptare në Bujanoc me një konsullatë serbe në Shkodër?
Përgjigjja kërkon një analizë të fakteve dhe jo të simbolikës politike. Shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës përbëjnë një komunitet autokton me dhjetëra ose qindra mijëra banorë, i cili për dekada është përballur me sfida që lidhen me përfaqësimin institucional, zhvillimin ekonomik dhe ushtrimin efektiv të të drejtave të garantuara nga standardet evropiane për mbrojtjen e pakicave kombëtare. Në këtë kontekst, një konsullatë shqiptare në Bujanoc nuk është privilegj politik, por një instrument legjitim i mbështetjes konsullore dhe kulturore për qytetarët shqiptarë.
Nga ana tjetër, realiteti demografik në qarkun Shkodër është krejtësisht i ndryshëm 54 serb të regjistruar në regjistrimin kombëtar të 2023. Prandaj, vendosja e një ekuivalence ndërmjet këtyre dy rasteve nuk mbështetet mbi kritere të krahasueshme. Barazia formale nuk prodhon domosdoshmërisht drejtësi substanciale. Në teorinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, trajtimi i situatave objektivisht të ndryshme si identike mund të çojë në vendimmarrje që favorizon simbolikën politike mbi interesin publik.
Shqipëria ka të drejtën sovrane të zhvillojë marrëdhënie të mira me Serbinë dhe të kontribuojë në stabilitetin rajonal. Megjithatë, normalizimi i marrëdhënieve nuk duhet të ndërtohet mbi formula që relativizojnë realitetin demografik dhe nevojat konkrete të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Politika e jashtme fiton besueshmëri kur mbështetet në analiza objektive dhe jo në simetri formale.
Hapja e një konsullate shqiptare në Bujanoc duhet të jetë një vendim i bazuar në detyrimin kushtetues dhe moral të shtetit shqiptar për të qenë pranë bashkëkombësve të tij, pavarësisht nëse Serbia vendos apo jo të hapë një përfaqësi konsullore në Shqipëri. Lidhja e këtyre dy proceseve krijon përshtypjen se një e drejtë legjitime e shqiptarëve kushtëzohet nga një shkëmbim diplomatik, gjë që dobëson vetë arsyetimin mbi të cilin mbështetet kjo kërkesë.
Një politikë e jashtme e orientuar nga interesi kombëtar duhet të mbështetet në tre parime: proporcionalitet, realizëm diplomatik dhe mbrojtje aktive të të drejtave të shqiptarëve jashtë kufijve shtetërorë. Këto parime nuk janë në kundërshtim me marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë; përkundrazi, ato janë parakusht për ndërtimin e një partneriteti të qëndrueshëm dhe të barabartë.
Në këtë kuptim, konsullata shqiptare në Bujanoc nuk duhet të trajtohet si element negociues i një formule reciprociteti, por si shprehje e përgjegjësisë institucionale të Shqipërisë ndaj shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Vetëm një qasje e tillë i shërben interesit kombëtar, koherencës së politikës së jashtme shqiptare dhe stabilitetit afatgjatë në rajon.
Sami Spahiu | 30 Gusht 2026 | Kosovë