09/09/2026
Gjobaxhinjt e tatimeve duket se kanë injoruar premtimin e Kryeministrit Rama
Tatimet “zbarkojnë” sërish në Vlorë: Premtimet e qeverisë për biznesin mbeten në letër, inspektime pa paralajmërim dhe shfaqje force me makina luksoze
Vetëm pak ditë më parë, Kryeministri Edi Rama premtoi me bujë se praktika e vjetër e kontrolleve në biznese kishte marrë fund. Gjatë një takimi të posaçëm, kreu i qeverisë u shpreh prerë se nuk do të ketë më kontrolle pa paralajmërim në dyert e sipërmarrësve dhe se gjoba duhet të jetë “arma e fundit, jo e para”. Duke e cilësuar mbrojtjen e biznesit si prioritet, Rama premtoi se qëllimi nuk është kapja e subjekteve në gabim për t'u vënë gjoba, por ndihma për përmirësim, duke paralajmëruar madje edhe pajisjen e detyrueshme të inspektorëve me kamera inteligjente trupore për të shmangur abuzimet.
Por, si duket, ky “armëpushim” i deklaruar nga zyrat e shtetit duket se nuk ka mbërritur ende në qytetin e Vlorës.
Në kuadër të Planit Sektorial të Turizmit, Administrata Tatimore ka rifilluar kontrollet e rrepta në bregdet, duke vënë në shënjestër bizneset turistike. Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në 16 subjekte të kontrolluara në Vlorë janë konstatuar 39 shkelje, duke u shoqëruar menjëherë me masa ndëshkimore, gjoba dhe sekuestrime pajisjesh.
Ajo që ngre shqetësim të madh dhe bie në sy përpara çdo shkeljeje tatimore, është mënyra se a është kjo ajo fytyrë e shtetit që premtoi lehtësim fiskal dhe dialog. Si ka mundësi që inspektorët e shtetit vazhdojnë të zbarkojnë në terren si një bandë e vërtetë, të shoqëruar me automjete luksoze të kategorisë CLS dhe BMW, foristrada që sfidojnë çdo standard të etikës zyrtare dhe të ndershmërisë administrative?
Kjo shfaqje force dhe luksi luksoz, e kombinuar me aksione rrufe ku premtimet e bëra vetëm disa ditë më parë nga Kryeministri shkelen hapur në praktikë, lë shije të hidhur për sipërmarrjen vendase. Në vend që të ndërtohet një klimë besimi dhe partneriteti në kulmin apo fundin e sezonit turistik, bizneset e Vlorës vazhdojnë të trajtohen nën hijen e gjobëvënies dhe inspektimeve arbitrare, duke provuar se në Shqipëri fjalët e thëna në ekran mbeten thjesht deklarata, ndërsa terreni flet krejt ndryshe.